Familja

Lindur në Kukësin e Vjetër dhe rritur në atë të Riun nga një familje me prejardhje dhe bindje të forta të djathta duke filluar që nga gjyshi nga babai, i cili ishte një arsimtar i devotshëm e më pas punëtor si shofer po aq i devotshëm që edhe pse u përndoq për shkak të sistemit të atëhershëm, nuk u mposht asnjëherë.

Ai është njohur si një figurë me karakter të fortë, luftarak, të ndershëm e me plot virtyte që i përcolli tek të gjithë pasardhësit e tij.

Po kështu edhe gjyshi nga mamaja ishte një intelektual, i cili mbaroi “Shkollën e Mesme Normale” në Elbasan dhe gjatë jetës së tij punoi si revizor në ndërmarrje shtetërore tregtare dhe si punonjës i gjendjes civile.

Këto virtyte të larta u brumosën edhe tek prindërit e Elsës, të cilët kanë trashëguar dinjitetin dhe edukimin për kauza të drejta.

I ati i Elsës ishte një nxënës me rezultate të shkëlqyera që sistemi asokohe ia mohoi të drejtën e arsimit të lartë, por që me punën e tij dinjitoze, plot profesionalizëm dhe përkushtim si teknik ndërtimi u spikat nga ndërmarrja e ndërtimit, ku ai punoi që nga viti 1972 e deri sa ato u mbyllën duke i ngarkuar atij detyra të rëndësishme si “Kryetar i Degës Teknike”. Po kështu edhe e ëma u dallua si një grua kurajoze, me dëshirë dhe përkushtim për punën saqë u nderua dhe me medaljen ”Për shërbim të mirë ndaj popullit” kur punonte në “Ndërmarrjen e Tregtisë Kukës”.

Këta prindër të dedikuar i edukuan dhe i ushqyen fëmijët me ndjenjën e dinjitetit, vetëbesimit, përkushtimit, durimit dhe guximit e shtysës për të ecur përpara.

Arsimi

Ka mbaruar arsimin e lartë për Juridik në vitin 1998 pranë Universitetit të Tiranës. Kjo ka qenë një degë të cilën e ka admiruar gjithmonë. Është licensuar nga “Dhoma Kombëtare e Avokatisë” duke marrë titullin “Avokat” në vitin 2007.

Profesioni

Është punësuar për herë të parë në vitin 2000 si Juriste në “Albtelecom Sh.a.”. Aty u rrit profesionalisht pasi i janë besuar detyra jo vetëm në profilin e juristes, por edhe si Kryetare e Degës së Personelit dhe Burimeve Njerëzore për Rajonin e Kukësit, ku në zbatim e në mbështetje të ligjit si dhe në përputhje me parimet e punës; me etikë, profesionalizëm e përkushtim është vlerësuar për performancë të lartë. Vlen për t’u përmendur që i është besuar dhe Rajoni i Dibrës me detyrën e juristes.

Kjo marrëdhënie pune 17-vjeçare mbart një eksperiencë të vlefshme në jetën profesionale të Elsës.

Angazhimet profesionale

Në vitin 2017 Elsa së bashku me familjen e saj themeluan shoqërinë e tyre me veprimtari të fushave të ndryshme: Ligjore, Inxhinierike dhe Financiare. Në këtë shoqëri, ku Elsa ushtron profesionin e saj si Avokate, nuk kanë munguar projekte të rëndësishme të suksesshme si projekti i “Adresari”-t për Qarkun e Kukësit dhe kontrata me të tretë për ofrimin dhe kryerjen e shërbimeve ligjore. Vlen për t’u përmendur edhe eksperienca prej më shumë se një dekade e saj në administratën zgjedhore për zgjedhjet vendore dhe qendrore si trajnuese e KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve.

Kandidimi përkrah Lëvizjes për Ndryshim

Dëshira e saj për të përcjellur shpresën, motivin, dëshirat dhe virtytet tek të gjithë brezat ka qenë një ndër qëllimet që e kanë shtyrë për t’iu bashkuar kësaj lëvizjeje të re. Si individë të këtij qarku është e pashmangshme marrja e përgjegjësive për garantimin e një të ardhmeje më të sigurt, për t’i vënë në jetë të gjitha pikat e programeve tona me inteligjencë dhe dinjitet.

Ashtu si në një familje të qeverisur mirë arrihen qëllimet dhe dëshirat me anë të bashkëpunimit dhe punës së palodhur, ashtu duhet punuar edhe për Shqipërinë, si për një familje të madhe.

Të bashkojmë forcat, t’i kemi idetë dhe qëllimet e qarta, të punojmë fort e në zbatim të ligjit, të gjitha për një Shqipëri më të mirë!